Artikullin e meposhtem e gjeta tek
Gazeta Shqiptare dhe meqenese aty kam kaluar nje pjese te mire te femijerise time, dhe kam akoma shume njerez te dashur, thashe ta vendos ketu.
Varfëria dhe papunësia s’i pengon banorët të jenë të rregullt me shtetin
Aty ku energjie elektrike nuk mungon as në dimër
Nga i dërguari ynë në Ersekë
ARTAN HOXHA
Në të hyrë të Ersekës një plak rreth të shtatëdhjetave përpiqet të bëj zap kalin e ngarkuar me dru, që hedh shqelma përpjetë dhe turfullon nga ngarkesa e lodhshme që ka mbi samar. Shumë e ke ngarkuar kalin xhaxha? E pyesim. “Erdhi dimri djema. Këtu bën dimër jo shaka. Po s’pate bërë drutë gati, gjete belanë”, thotë plaku. Më poshtë shton:“Pa stivën me dru te dera e shtëpisë nuk ia del dot dimrit. Ne me dru ngrohemi, me dru gatuajmë, me dru e nxjerrim dhe atë të flamosur raki”. Kur e pyesim nëse ka rregullisht energji elektrike në shtëpi dhe pse nuk ngrohet me të, ai na kthehet. “A kam drita?! Kam, si s’kam. Shyqyr zotit nuk na priten as në dimër. Vetëm po të ketë ndonjë difekt. Pastaj, pse të mos kemi, ne i paguajmë dritat rregullisht nuk jemi si andej përpjetë(bën me kokë në drejtimin që sipas tij i bie të jetë Tirana). Se të pjell belaja me këtë xhibilet milet, edhe si paguan fare dritat dhe kur ua presin i zënë rrugën dynjasë. Ore po ç’bëhet kështu, ka shtet, a ka qeveri ky vend”, thotë paksa i nevrikosur plaku. Kur i themi se një pjesë e njerëzve janë të varfër, papunë dhe s’kanë me se ti paguajnë, ai nxehet më keq. “Si mor s’kanë ti paguajnë. Pse unë ku i gjeta, më fukara se unë s’ka. I ke parë ti, gjysma e Tiranës, janë me vila nga katër-pesë kate, me automobila e telefona që s’i heqin nga veshi gjithë ditën. E thonë pastaj s’kanë ti paguajnë. Kanë qerratenjtë kanë, por s’duan t’i paguajnë. Xhanëm s’ka as kush tua marrë paratë, s’ka shtet thua. Se po të ketë shtet, vjen e ta merr automobilin te dera e shtëpisë, të merr mall e plaçkë, mushkën a dhentë, ç’të kesh. E ti shet në pazar për të paguar dritat. Pa ta bëjnë kështu njëherë, e do ti shohësh ti si i paguajnë dritat. Pse unë ku i gjeta?! Ja shes një dele a një sheleg që paguaj dritat, se pensioni s’më del as për të blerë duhan”, na thotë plaku. Plaku i flet kalit dhe merr rrugën e Starjes, ndërsa ne hyjmë në qytetin e vogël të Ersekës.
ERSEKA
Qyteti i Ersekës shtrihet gati në mes të një fushe, rrethuar gjithandej prej malesh të lartë. Nga Tirana është rreth 225 kilometra larg, por rruga e lodhshme dhe gjithë kthesa ta bën shumë më të largët sa kaq. Nëse i vjen vërdallë qytetit sheh gjithandej rrugë të shtruara me asfalt dhe trotuare të rregullt. Kolonjarët e mbajnë pastër dhe kujdesen për qytetin e tyre edhe pse ai është gati në një skaj të humbur të vendit. I ftohti këtu ka ardhur ndoshta më shpejt se askund tjetër, por nëpër kafene sheh pak njerëz edhe pse çmimet janë gati qesharake në krahasim me baret e Tiranës. Nëse pyet tregëtarët e këtushëm të thonë se:“paraja është zhdukur nga xhepat e njerëzve, sikur të ishte futur në gojë të gjarprit”. “Kush ka një punë në shtet, ushqehet me bukë. Të tjerët, nëse s’kanë njeri jashtë vendit tu dërgojë ndonjë pare, katandisen ku thërret qameti”, na thotë Thomai pronari i një lokali modest në të hyrë të qytetit, që shërben njëkohësisht dhe si restorant dhe si hotel. Sapo ulemi në kafe na tërheqin vëmendjen dy punëtorë që sipër një skele përpiqen të meremetojnë dhe të lyejnë me bojë të kuqe një lapidar, me pamje tipike nga ata të socializmit. Lapidari është vendosur në lulishten kryesore të Ersekës, dhe i është kushtuar ditës së çlirimit të qytetit. Një grup veteranësh që bëjnë sehir aty pranë, u hedhin herë pas here ndonjë fjalë ustallarëve, duke u kërkuar ta rregullojnë sa më mirë. Dy javë më parë, pikërisht aty, u plagos një grua që ishte ulur rrëzë lapidarit. Një pllakë betoni u shkëput befas nga maja e lapidarit dhe gati ia mori jetën gruas së shkretë. Për fat të mirë, gruaja edhe pse u plagos keq e përfundoi në urgjencën e spitalit, ia hodhi paq. Kaq mjaftoi që bashkia jo vetëm të rivendoste pllakën e rënë por dhe të meremetonte gjithë objektin duke marrë kështu dhe urimet e veteranëve.
KOLONJARET
Kur dimri është në prag dhe koha nis të ftohet, energjia elektrike kthehet gati në një makth për çdo shqiptar. Prej vitesh ajo është bërë mjeti kryesor për ngrohje dhe gatim gati në çdo familje. Mospagimi i energjisë elektrike që tashmë është kthyer në një fenomen gati të pasgjidhshëm nga strukturat e KESH-it, këtu në Ersekë nuk ekziston. “Kolonjarët e paguajnë energjinë njëqind përqind, gati mbulojnë dhe humbjet e rrjetit”, na thotë me krenari kryebashkiaku Adriatik Braçe. “Dritat nuk na mungojnë as dimrit, se i paguajmë rregullisht”, na thotë Thomai, pronari i të vetmit hotel që gjendet brenda qytetit. Të mësuar gjithandej me ankesat e punonjësve të KESH-it se qytetarët nuk paguajnë energjinë elektrike, mbetemi të befasuar nga ajo që shohim në Ersekë. Këtu askush nuk i detyron qytetarët të paguajnë faturat e energjisë elektrike, por kolonjarët janë të ndërgjegjshëm se ky është një shërbim që sëpari ata ia bëjnë vetes së tyre dhe më pas gjithë komunitetit ku jetojnë.
“Jam gati për mandatin e katërt”
Inxhinieri Adriatik Braçe 9 vjet kryetar bashkie
Nëse fiton për herë të katërt mandatin e kryebashkiakut të Ersekës, inxhinieri Adriatik Braçe do të jetë i pari pushtetar vendor që arrin një sukses të tillë. Braçe është në ditët e fundit të mandatit të tij të tretë dhe mundohet të shfrytëzojë çdo minutë kohë që i ka mbetur. “Kam investuar nëntë vjetë të jetës sime në krye të bashkisë së Ersekës dhe jam krenar për atë që kam arritur”, thotë kolonjari 45 vjeçar.
A mendoni për një mandat të katërt si kryebashkiak i Ersekës?
Nëse forca politike që unë përfaqësoj do të më rikandidoj serish, jam i sigurt se do të fitoja bindshëm dhe mandatin e katërt. Jam përpjekur që të bëj më të mirën për banorët dhe qytetin e Ersekës. Sigurisht nëse do të kisha patur më shumë mbështetje nga pushteti qëndror do të kisha bërë më tepër. Suksesi im ka ardhur dhe në saj të stafit me të cilin kam punuar në këto 9 vite si dhe mbështetjes së madhe që më kanë dhënë banorët e Ersekës.
Cilat janë problemet më të mprehta në qytetin tuaj?
Padyshim, papunësia dhe varfëria. Banorët e Ersekës janë të varfër, por shumë punëtorë dhe të kulturuar, fakt ky që na ka ndihmuar sëtepërmi si pushtet vendor. Mjafton t’i hidhni një sy qytetit dhe do të krijoni një përshtypje më të qartë. Kemi bërë sa kemi mundur, duke menaxhuar dhe shfrytëzuar gjithçka, që nga fondet e qeverisjes qëndrore, burimet tona njerëzore dhe ekonomike, por dhe donatorët e huaj. Në këto tre mandate janë investuar në infrastrukturën e brendëshme të qytetit afro një milionë dollarë, jo pak për një qytet me 10 mijë banorë.
A jeni mbështetur me investime nga qeverisja qëndrore?
Sigurisht kërkesat dhe dëshira jonë për investime ka qenë shumë më e madhe nga sa na është akorduar. Kemi hasur probleme serioze qysh nga zgjedhjet e fundit, kur erdhi në pushtet qeveria e re, e cila e ka parë Ersekën me syrin e njerkës vetëm pse qeveriset nga e majta. Buxheti i këtij viti për bashkinë ka qenë shumë më i vogël në krahasim me kohën kur vendi qeverisej nga e majta. Në katër vitet e fundit të qeverisjes së PS-së, bashkia Ersekë ka patur një buxhet mesatar prej 70 milionë lekësh të reja. Çfarë rrugëzgjidhje shihni për të ardhmen e banorëve të Ersekës?
Me resurset natyrore që zotëron rrethi jonë, mendoj se turizmi dhe investimet kryesisht në përpunimin e produkteve ushqimore dhe blektorale mbeten shpresa e vetme për ti dhënë frymëmarrje Kolonjës. Hapat e parë janë hedhur, por duhet vazhduar në këtë rrugë. Biznesmenë privatë kanë investuar në ndërtimin e impianteve të vogla për përpunimin e produkteve ushqimore dhe blektorale. Ata por dhe të tjerë që do të vijnë në të ardhmen duhen mbështetur në këto iniciativa që ndikojnë direkt në përmirësimin e jetesës së kolonjarëve.